Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Shkencë në Kosovë, ka bërë të ditur se të hënën do të dorëzojë një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.
"Ju njoftojmë se sot me datë 04.03.2019, në ora 13:15 SBASHK-u do ta dorëzoj në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë ndaj vendimit Nr.911 të datës 27.02.2019, i cili ka hyrë në fuqi me datë 01.03.2019, i nënshkruar nga ministri Bytyqi për kompenzimin e orëve të humbura gjatë grevës", thuhet në njoftimin për media të SBASHK-ut.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi kishte vendosur që orët e humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve, të mbajtur këtë vit, të kompensohen.
Sipas MASHT-it, ditët e humbura të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar do të zëvendësohen fillimisht me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna do të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i këtij vitit shkollor.
Mësimdhënësit më 14 janar nisën grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind.
Greva është ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.