LSDM dhe BDI me kandidat të përbashkët për president

Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev. Fotografi nga arkivi.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), janë pajtuar që në zgjedhjet presidenciale, më 21 prill të garojnë me kandidat të përbashkët.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit që ka zhvilluar të mërkurën pasdite me kryeministrin, Zoran Zaev.

Ahmeti ka thënë se është në interes të shtetit dhe të qytetarëve që të ketë kandidat konsensual për president mes partive të përkatësive të ndryshme etnike.

“U dakorduam që të dalim bashkërisht me një kandidat të përbashkët dhe kjo të bëhet një standard për Republikën tonë në të ardhmen që do të ishte fitimprurës për vendin dhe qytetarët. Do të kemi takime edhe me partitë tjera politike që t’i bashkohen kësaj iniciative kaq të mirë për vendin tonë… Nuk është biseduar për emra, të cilët janë ata që po lakohen në opinion. Do të diskutohen të gjitha rrethanat dhe të premten do të dihet se cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët”, ka deklaruar kryetari i BDI-së.

Si kandidatë të mundshëm për president përmenden, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmira Sheqerinska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe koordinatori nacional për NATO-n, Stevo Pendarovski.

VMRO DPMNE-ja opozitare tashmë për kandidate për president ka caktuar Gordana Siljanovskën, profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit.

Partitë opozitare shqiptare bazuar në qëndrimet e fundit, në zgjedhje mund të dalin me një kandidat shqiptar.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy rrethe zgjedhore, më 21 prill dhe 5 maj.