Gripi sezonal në Kosovë shndërrohet në epidemi

Ilustrim.

Gripi sezonal ka kaluar në epidemi në Kosovë, ka njoftuar Komiteti për Gripin Sezonal në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Sipas këtij insitucioni, pas testimit të 661 rasteve është konstatuar se gripi sezonal ka kaluar në epidemi.

“Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike deri më 22 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 661 mostra të dyshimta me influencë, prej tyre 240 raste rezultojnë pozitive në influencën e tipit A”, është thënë në komunikatën e SHSKUK-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar kanë rekomanduar që të gjithë nxënësit që kanë shenja të gripit të qëndrojnë në shtëpi.

“Fëmijët dhe nxënësit që kanë shenja dhe simptoma të gripit, temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh, t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut”, është thënë ndër të tjera në komunikatë.

Përveç tjerash, qytetarëve u është rekomanduar që të kenë kujdes dhe mos të dalin në ambient të ftohtë si dhe të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve.