Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutë për të bllokuar emergjencën kombëtare

Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar një rezolutë duke synuar që t’i bllokojë presidentit amerikan, Donald Trump realizimin e premtimit për ndërtimin e murit.

Në votimin e mbajtur më 26 shkurt, rezoluta ka kaluar me 245 vota në të mirë të saj, duke përfshirë edhe votat e 13 republikanëve, për dallim nga 182 vota kundër.

Rezoluta synon t’i ndalojë Trumpit shpalljen e emergjencës kombëtare, përmes së cilës synon të sigurojë fondet për ndërtim të murit me Meksikën.

Rezoluta duhet të miratohet edhe në Senatin e kontrolluar nga republikanët, prandaj fati i saj mbetet i paqartë.

Presidenti amerikan ka insistuar se muri është i nevojshëm për t’i dhënë fund kontrabandimit të drogës dhe hyrjes së imigrantëve në Shtetet e Bashkuara.

Demokratët e Kongresit dhe disa republikanë kanë kundërshtuar këtë ide, dhe kanë refuzuar që të ndajnë fonde për këtë projekt.

Ekspertët ligjorë besojnë se shpallja e emergjencës kombëtare mund të shkelë fuqinë e Kongresit për ndarje të fondeve, siç parashihet me Kushtetutë, dhe mund të jetë rast i pashembullt.

Edhe nëse kjo rezolutë miratohet në Senat, Trump do ta kundërshtojë atë, prandaj Kongresit do t’i duhen dy të tretat e votave të ligjvënësve për ta përmbysur veton.