Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vënia e kufirit me Kosovën nuk është propozim zyrtar, por ide e zyrtarëve shtetërorë. Sipas tij, nëse kjo ide bëhet propozim zyrtar, atëherë do të kalojë në Kuvendin e Serbisë si dhe për të do të vendosin qytetarët përmes referendumit.
Komentet e ministrit Daçiq u bën pas takimit me ministrin e Jashtëm të Burundit, Ezechiel Nibigira.
Megjithatë, të marten, Daçiq pati deklaruar se vënia e kufirit me Kosovën është propozim zyrtar i Serbisë.
Disa orë pas kësaj deklarate, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ideja për “vënien e kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi është dhënë nga vetë ai që para dy vjetësh”.
“Nuk kam çfarë të komentoj. Këtë e kam thënë para dy vitesh”, tha Vuçiq gjatë një vizite në një Institut shëndetësor në Beograd.
Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është përmendur disa herë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quan këtë proces "korrigjim i kufijve".