Britania konsiderohet e cenueshme ndaj ndërhyrjes kineze

Londër.

Mbretëria e Bashkuar është e cenueshme ndaj ndikimit dhe ndërhyrjes së Kinës, kanë thënë disa organizata hulumtuese.

Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore e ka konsideruar të “papërgjegjshme” mundësinë që gjigantit tekonologjik kinez, Huawei t’i lejohet qasja në sistemin britanik të telekomunikimeve.

Mbretëria e Bashkuar është duke shqyrtuar aktualisht nëse do t’i mundësojë kësaj kompanie ndërtimin e gjeneratës së re të komunikimeve (5G).

Një zëdhënës i Ambasadës Kineze ka thënë se këto pretendime janë “alarmante”.

Raporti, i shkruar nga Charles Parton, ish-diplomat britanik, që ka kaluar 30 vjet të karrierës së tij duke punuar rreth Kinës, ka thënë se nëse kompanisë Huawei i lejohet të përfshihet në rrjetin e ri të telefonisë mobile, atëherë një gjë e tillë nënkupton qasje të Qeverisë kineze në këtë sistem.

Ai përveç kësaj, ka përmendur edhe rrezikun e ndërhyrjes në fusha tjera, duke përfshirë akademinë, politikën dhe teknologjinë.

Në raport tregohet edhe se si Partia Komuniste kineze ka tentuar të shndërrojë njerëzit e tij si këshilltarë të politikanëve perëndimorë.

Sipas Parton, Rusia tenton që vetëm të destabilizojë situata, derisa Kina ka synim kryesor që të mbajë legjitimitetin e Partisë Komuniste dhe të kufizojë kundërshtimet ndaj saj, duke mos harruar edhe përpjekjet për rritje të mbështetjes së politikës së saj në botë.

Kina ndërkohë është duke u zhvilluar nën udhëheqësinë e presidentit kinez, Xi Jinping, me rritjen e potencialit për divergjenca sa u përket vlerave.

Mirëpo kur është fjala te Britania, situata mund të jetë më e komplikuar meqë, qasja aktuale ndaj Brexitit, mund të shtyjë Mbretërinë e Bashkuar që të shqyrtojë Kinën si shtet për bashkëpunim në tregti dhe investime.