Minatorët e "Trepçës" nuk marrin pagë të plotë

Punëtorë të kombinatit Trepça.

Rreth 1300 minatorë të kombinatit metalurgjik "Trepça" kanë marrë vetëm 60% të pagës të mërkurën, për shkak të siç thuhet, mungesës së mjeteve të nevojshme.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se punëtorët e kombinatit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe kanë paralajmëruar grevë nëse nuk bëhet pjesa tjetër e pagesës.

"Arsyeja është ‘nuk kemi mjete’, do të thotë Trepça ka ardhur në një situatë të tillë që nuk ka mjete as për paga, është zhytur edhe në borxhe, unë e kam paralajmëruar edhe më herët se keqmenaxhimi, korrupsioni dhe nepotizmi e kanë sjellur në këtë gjendje Trepçën. Është për keqardhje që sot të mos kenë mundësi të paguhen punëtorët", është shprehur Sadiku.

Minatorët e kombinatit "Trepça", një muaj më parë kanë qenë në në grevë njëjavore, duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.

Punëtorët po ashtu kanë kërkuar që sa më shpejt të miratohet statuti i Trepçës, ashtu siç parashihet me Ligjin për Trepçën.

Greva ishte ndërprerë pas një marrëveshjeje të përkohshme me Qeverinë e Kosovës.