Ekipi negociator i Kosovës u dorëzon draft-platformën krerëve shtetërorë

Nisur nga ana e majtë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti.

Ekipi negociator i Kosovës, në dialogun me Serbinë, ka zhvilluar të mërkurën një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për të paraqitur draft-platformën e dialogut mes këtyre dy shteteve, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Shpend Ahmeti, një nga bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, ka thënë se platforma pritet që zyrtarisht të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës deri të premten, për shkak të rishikimit deri në detaje.

"Në takim janë diskutuar dy gjëra, çështjet përfundimtare për platformën dhe letra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka ardhur nga tre përfaqësues të institucioneve atje. Jemi para përfundimit të draftit, sot besoj që i kemi edhe disa diskutime që të premten ta dorëzojmë zyrtarisht, megjithatë nuk do të ketë ndonjë befasi. I kemi dërguar një draft edhe krerëve për ndonjë koment zyrtar, sepse ajo është platformë zyrtare e Republikës së Kosovës".

"Nuk do ta dorëzojmë platformën pa e rishikuar fjalë për fjalë, sepse jo vetëm në Kuvend, por ai tekst do të lexohet edhe nga të gjitha palët në dialog", është shprehur Ahmeti.

Dy partitë tjera më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij ekipi.

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fazën e re të këtij procesi, sipas zyrtarëve të BE-së mbetet ende i paqartë, përderisa Kosova e mban në fuqi taksën doganore prej 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë se vendimi për mospezullim të taksës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.