Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në fuqizimin e Kosovës dhe avancimin e agjendës euro-atlantike.
"Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e miqësisë dhe përherë besnike ndaj aleatit të saj strategjik, ShBA-së. Në takim të rregullt pune me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bashkëbiseduam për intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta në fuqizimin e Kosovës në të gjitha aspektet dhe avancimin e agjendës euro-atlantike të vendit tonë. Marrëdhënia e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Amerikës është e pacenueshme, pa marrë parasyshë dallimin eventual në opinione", tha Haradinaj në Facebook.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se veprimet që minojnë dialogun, përbëjnë qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
"Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, ishte thënë në deklaratë.