MASHT vendos t'i kompensojë orët e humbura të mësimit nga greva

Ilustrim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi, tha se pas takimit me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit është marrë vendim që orët e humbura nga greva e mësimdhënësve, të kompensohen.

Ministri Bytyqi theksoi se moszbatimi i këtij vendimi nga ndonjë institucion arsimor do të pasojë me ndëshkime.

"Në takim diskutuam mundësitë e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës në arsim dhe kohën më të përshtatshme kur mund të bëhet ky zëvendësim. Pas diskutimeve të shumta dhe sugjerimeve të marra nga përgjegjësit e arsimit nëpër komuna, MASHT do të dalë me një vendim të detajizuar për kompensimin e orëve të humbura", tha Bytyqi.

"Po ashtu, me përgjegjësit për arsim në komuna biseduam rreth zbatueshmërisë së vendimit për ndalimin e përdorimit të telefonave nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve gjatë procesit mësimor", thuhet në njoftimin e ministrit në Facebook.

Bytyqi shtoi se në takim u diskutua edhe për dhunën në shkolla dhe masat që duhet të ndërmerren.

Mësimdhënësit në gjithë Kosovën kanë mbajtur grevë për tri javë, me kërkesën për rritje të koeficientit të pagave për 30%.

Greva është ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.