Çështja e bisedimeve me Serbinë dhe platforma për këtë fazë të dialogut, e cila do të prezantohet së shpejti në Kuvend, u tha se ishin temat qendrore të një takimi të krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës.
Takimi u thirr nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ku morën pjesë: presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës në bisedime, Fatmir Limaj, si dhe anëtarët e delegacionit Enver Hoxhaj dhe Visar Ymeri.
“Në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të dialogut, me theks të veçantë për platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar zyra e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Pjesëmarrësit në takim, thuhet në komunikatë, u pajtuan se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë në mbështetje të platformës së dialogut, ndërkaq u theksua se uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e dialogut.
Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë prejse Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nëntorin e kaluar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet nuk do të vazhdojnë pa u hequr taksa.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikanë.
Lexoni edhe këtë: Gjenerali amerikan anulon vizitën në Kosovë për shkak të taksës