Sylejman Selimi u intervistua nga Prokuroria Speciale si i dyshuar

Ilustrim

Ka përfunduar intervistimi i ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, nga Zyra e Prokurorisë Speciale ka konfirmuar avokati i Selimit, Tomë Gashi.

Sipas tij, Selimi është marrë në pyetje nga prokurori kompetent i Zyrës së Prokurorisë Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.

Ai ka sqaruar se Selimi është intervistuar të mërkurën në Prishtinë dhe i ka dhënë të gjitha shpjegimet e tij, në prezencën e prokurorit dhe personave tjerë të paraparë me ligj.

Avokati Gashi ka theksuar se marrja në pyetje e Selimit, ka zgjatur rreth dy orë si dhe ka qenë e formës së përgjithshme, por, sipas tij, edhe përgjigjet kanë qenë të tilla.

“Cilësia juridike, për të cilën ai është marrë në pyetje, ka qenë si i dyshuar. Do të thotë, jo dëshmitar, jo dëshmitar i dyshuar, por si i dyshuar. Në shpresojmë që prokurori të vendosë, që mos ta lerë këtë situatë thuajse pezull, por nuk besoj që kjo do të ndodhë shpejt. Pastaj, ata do të vijnë në përfundimin se çfarë do të vendosin juridikisht më tej”, ka thënë avokati Gashi.

Megjithatë, ai nuk ka sqaruar se për çfarë është i dyshuar Selimi, por, ka thënë se marrja në pyetje e secilit që është në cilësinë e të dyshuarit ose të dëshmitarit, në çdo situatë dhe në çdo rast, konsiderohet konfidenciale, bazuar në rregullat e punës së Gjykatës Speciale.

Ndryshe, Sylejman Selimi, me 25 janar të këtij viti, nga një panel i themeluar nga Këshilli Gjyqësor, është liruar me kusht nga vuajtja e dënimit me 6 vjet burg, pasi që kishte kaluar mbi 5 vjet në burg.

Më 24 maj 2013, Selimi ishte arrestuar dhe më vonë ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Ndërkohë të martën, Organizata Joqeveritare, Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe në Serbi, e kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për emërimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit, si këshilltar politik.

“Emërimet dhe deklaratat e tilla për ne janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe si rrjedhojë të papranueshme. Personat që kanë kryer krime lufte duhet të qëndrojnë larg institucioneve shtetërore që shërbejnë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime etnike. Vendimi për emërimin e z. Selimi si këshilltar politik, tregon për mos-seriozitetin dhe mungesën e përkushtimit të Qeverisë për drejtësi, pajtim dhe paqe” thuhet në reagimin e kësaj organizate.