Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën.
“Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, tha presidenti Thaçi gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në New York.
Ai tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë dhe rajon si dhe do të ketë rol transformues në shoqëri, thuhet në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës.
Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje
gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se "këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë".
“Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”, tha presidenti Thaçi, i cili po qëndron në SHBA, për të marrë pjesë në organizimin e “Lutjet e Mëngjesit”.
Sipas Thaçit një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes dy vendeve.
“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar, se kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.
“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme. Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, theksoi presidenti Thaçi.