Senati amerikan kundër tërheqjes së trupave nga Siria dhe Afganistani

Uashington

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një masë simbolike që kundërshton urdhrin e presidentit Donald Trump për t'i tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe Afganistani.

Masa është një amendament jodetyrues, i cili thotë se grupet islamike militante vazhdojnë të paraqesin kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Meqenëse Trump është republikan dhe republikanët e kontrollojnë Senatin, kalimi i masës shihet si shenjë e mospërputhjes për një çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

Amendamenti, i cili u miratua me 70 vota për dhe 26 kundër, thotë se ka përparim në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, si dhe atyre të Al-Kaidës në Siri dhe Afganistan.

Por, ai po ashtu paralajmëron se "tërheqja e shpejtë" e trupave amerikane mund ta destabilizojë rajonin dhe të krijojë një vakuum, që mund të mbushet nga Irani ose Rusia.

Janë rreth 2,000 trupa amerikane që aktualisht shërbejnë në Siri dhe rreth 11,000 në Afganistan.