Edhe infermierët të pakënaqur me projektligjin për pagat

Ilustrim.

Infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë protestuar të enjten në shenjë pakënaqësie ndaj projektligjit për paga.

Rangimi i infermierëve në këtë projektligj, sipas tyre, është i patolerueshëm. Kjo protestë, e cila është mbajtur në hapësirën e QKUK-së në Prishtinë, është përkrahur edhe nga Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Oda e Infermierëve.

Projektligji për pagat, i cili pritet të shqyrtohet për miratim në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, ka shpërfaqur pakënaqësi sociale në shumë sektorë publikë në Kosovë.

Institucionet arsimore tashmë kanë hyrë në javën e tretë të grevës, duke insistuar në kërkesën e tyre për rritjen e koeficientit të pagës për 30 për qind.

Në grevë për më shumë së një muaj janë edhe mjekët kirurgë në Kosovë.

Përveç tyre, pakënaqësitë kanë shprehur edhe rreth 22 mijë shërbyes civilë në administratën lokale dhe qendrore, të cilët kërkojnë nivelizim të pagave me sektorët e tjerë publikë.