Qeveria “zotohet për bashkërendim të veprimeve me SHBA-në dhe BE-në"

Ilustrim.

Qeveria e Kosovës, pas takimit të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, ka njoftuar se liderët në pushtet kanë biseduar për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë për çështjen e taksës doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, për platformën e dialogut me Serbinë, miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2019 dhe pakon e ligjeve përcjellëse.

“Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Në takim morën pjesë, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kadri Veseli kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e re.

Megjithatë, asnjë nga liderët nuk është deklaruar për media, pas takimit.

Megjithatë, Qeveria ka njoftuar se partnerët e koalicionit janë zotuar “për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-së dhe BE-në”.

“Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”, është thënë në fund të komunikatës.

Ndryshe, mospajtimet brenda koalicionit qeverisës në Kosovë janë shfaqur në ditët e fundit, lidhur me çështjen e pezullimit ose jo të taksës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këto mospajtime, po vlerësohet se janë duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e këtij koalicioni.

Bazuar në qëndrimet publike, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar që tarifa të pezullohet për 120 ditë, për t’i dhënë mundësi vazhdimit të dialogut me Serbinë, siç po kërkon Uashingtoni dhe Brukseli.

Por, kundër pezullimit të kësaj mase është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.