Trump: Bisedimet për paqe në Afganistan "po zhvillohen mirë"

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur i kënaqur me procesin e bisedimeve për paqe me talibanët në Afganistan, pas gjashtë ditëve të negociatave në mes të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Zalmay Khalilzad dhe përfaqësuesve të talibanëve që janë mbajtur javën e kaluar.

“Negociatat janë duke vazhduar mirë në Afganistan, pas 18 vjetëve luftime”, ka thënë Trump në një postim në Twitter më 30 janar.

“Luftimet vazhdojnë mirëpo njerëzit e Afganistanit dëshirojnë paqe në këtë luftë të pafund. Do ta kuptojmë shumë shpejt nëse bisedimet do të jenë të suksesshme”, ka thënë ai në një postim tjetër.

Komentet e tij kanë ardhur pas si talibanët ashtu edhe përfaqësuesi i SHBA-së në këtë proces, Zalmay Khalilzad, kanë njoftuar për “përparim” në bisedimet e zhvilluara në Katar.

Në një intervistë për New York Times të publikuar më 28 janar, Khalilzad ka thënë se palët janë pajtuar në parim për një “kornizë” të marrëveshjes ashtu që të arrihet paqja në Afganistan.

Ai ka thënë se kjo kornizë u bën thirrje talibanëve që të parandalojnë ndërhyrjen e grupeve ndërkombëtare terroriste ne Afganistan.

Një gjë e tillë do të rezultonte më pas me tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Afganistani, mirëpo vetëm në rastin kur bisedimet e talibanëve do të zhvilloheshin me Qeverinë afgane dhe do të pajtohen për një pakt afatgjatë të paqes.

Duke folur para gazetarëve në Kabul më herët gjatë ditës, përfaqësuesi amerikan ka thënë:

“Ende ka shumë punë për të bërë para se të themi se kemi shënuar fitore në përpjekjet tona, mirëpo pavarësisht kësaj, kjo është hera e parë që mund të themi se kemi arritur përparim të madh”.

E mbështetur nga kombet perëndimore, Qeveria e Kabulit është përballur me sulme të talibanëve dhe grupeve tjera që janë aktive në Afganistan.

Talibanët deri më tani kanë refuzuar që të zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta me zyrtarë të Qeverisë afgane, meqë këta të fundit i konsiderojnë si “kukulla” amerikane.

Militantët kanë thënë se do të fillojnë bisedimet me Qeverinë, kur të nënshkruhet pakt për tërheqje të trupave amerikane.