Kurti bisedon për dialogun dhe tarifën me ambasadorin amerikan Kosnett

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti

Udhëheqësit e Lëvizjes “Vetëvendosje” të martën kanë takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Në një komunikatë për media të kësaj Lëvizje thuhet se “ gjatë takimit u shkëmbyen qëndrimet e dy palëve për dialogun dhe tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për korrupsionin në sektorin publik dhe për domosdoshmërinë e reformimit të administratës publike në Kosovë”.

Sipas komunikatës, Ambasadori Kosnett, foli për rëndësinë që ka Kosova në politikën e Jashtme të SHBA-së dhe për nevojën që pala kosovare paralelisht të kultivojë raporte shumë të mira edhe me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të cilën përbën aspiratën kryesore të Kosovës.

Kurse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e njoftoi ambasadorin Kosnett për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me dialogun si dhe “fazat që duhen përcjellë me synim ndërtimin e një platforme dhe ekipi negociator që do të garantonte një përfaqësim serioz në dialogun me Serbinë”.

Kryetari i “Vetëvendosjes” në këtë takim ka folur edhe për arsyet pse Qeveria nuk duhet të heqë dorë nga tarifa doganore” thuhet në komunikatë.