Thaçi i shkruan presidentit Trump: Zotohem për marrëveshje me Serbinë

Ilustrim

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të këtij muaji ia ka kthyer letrën Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën është zotuar se do të punojë për marrëveshjen historike me Serbinë.

Në letrën të cilën e ka bërë publike presidenti Thaçi, zotohet se “se do ta kryej pjesën e tij të punës dhe do të apelojë tek qytetarët që të ndjekin thirrjen e bërë nga presidenti Trump në letrën e dhjetorit që “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”.

Presidenti Thaçi e ka siguruar Presidentin Trump se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë. "Marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme apo konflikt i ngrirë" i shkruan Thaçi presidentit Trump.

"Ne po mundohemi të dalim nga ky qark dhe të arrijmë një marrëveshje përfundimtare në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe sipas të cilës Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara” thuhet në letrën e presidentit Thaçi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në dhjetor të vitit të kaluar me anë të një letre iu kishte drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti Trump në këtë letër iu bënte thirrje liderëve të Kosovës që "të shfrytëzojnë këtë moment unik, të flisni me një zë të unifikuar gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbaheni nga veprimet që do ta bënin të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”

Në letër po ashtu thuhet se presidenti Trump do të jetë nikoqir i presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar atë që do të jetë një "marrëveshje historike".