Ekipi Negociator i Kosovës zhvillon edhe një takim në Bruksel

Bruksel

Dy bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, arritën në Bruksel, ku pritet të zhvillojnë një takim me përfaqësues të zyrës së ndërmjetësueses së dialogut, Federica Mogherini.

Zyrtarë nga kabineti i zëvendëskryeministrit Limaj konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se në këtë takim do të diskutohet për modalitetet e mëtutjeshme të dialogut me Serbinë.

Është bërë e ditur se bashkë me dy bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator kanë udhëtuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Ky është takimi i dytë i Ekipit Negociator me zyrtarë të BE-së.

I pari është zhvilluar po ashtu këtë muaj, kur është thënë se është diskutuar për fazën e ardhshme të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe tarifën doganore 100%, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.