Haradinaj u shpjegon kryeministrave të botës natyrën e dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se u ka dërguar letër kryeministrave të të gjithë botës për t'iu shpjeguar natyrën e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe "për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke".

"Me anë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë. Kosova e ka përmbyllur shtetësinë e saj më 17 shkurt, 2008", tha Haradinaj.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët janë nën presion për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Haradinaj i bëri komentet një ditë pasi kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.