Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur sërish për tarifën 100 përqind ndaj mallrave serbe duke përsëritur se pa njohjen e Kosovës nga Serbia edhe tarifa nuk do të shfuqizohet.
“Nëse në Beograd thonë që kurrë nuk ju njohim, edhe ne nuk mund të përdorim fjalë tjetër. Nëse ai thotë se kurrë nuk ju njoh edhe ne mund të themi se kurrë nuk e heqim taksën”, tha Haradinaj gjatë një takimi me degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj.
Deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj vjen pas një komunikate të lëshuara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ku përveç tjerash, ritheksohet pikëpamja se një pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut.
"Veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur tarifë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo tarifë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë tarifë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.