Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës , Abelard Tahiri, bashkë me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë folur sot në një punëtori për Ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale.
Me këtë rast ministri Tahiri, tha se ligji në fjalë u mundëson organeve ligjzbatuese kuptimin sa më të mirë të normave ligjore që atyre iu janë vënë në dispozicion për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
"Mënyra më e mirë për të dobësuar fuqinë e grupeve kriminale, qofshin në politikë apo në biznes, kudo që janë, është nëse ne arrijmë të konfiskojmë pasurinë e tyre. Jam i bindur se këto grupe do të dobësohen dhe shteti do të dalë triumfues karshi tyre”, tha ministri Tahiri.
Në Ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara është shtuar numri i veprave penale për të cilat vlen konfiskimi. Aty është zgjeruar konfiskimi jo vetëm për të pandehurin, por edhe për palët e treta.
Sipas ligjit të ri, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga Gjykata.