Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se pret që deri në muajin qershor të këtij viti, Bashkimi Evropian t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
Sipas Haradinajt, gjendja sa i përket liberalizimit të vizave ka ndryshuar në favor të Kosovës, pas ndryshimit të pozicionit të Gjermanisë.
“Qershori është opsion real, sidomos çdo gjë ka ndryshuar pas pozicionit të Berlinit zyrtar, të cilët kanë thënë se do të angazhohemi për këtë. Pra, gjendja është krejt tjetër tash dhe është reale qershori”, tha Haradinaj në një konferencë për media, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.
Mundësinë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës gjatë muajit qershor, e ka përmendur ditë më parë edhe presidenti Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me komisionarin për zgjerim Johannes Hahn.