Delegacionet e Bosnjës dhe Kosovës po diskutojnë për tarifën

Ilustrim

Delegacionet e Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të enjten, po bisedojnë lidhur me tarifën prej 100 përqind për mallrat e Bosnjes të cilën e ka vendosur Qeveria në Prishtinë.

Në takim, përveç zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë së Kosovës dhe asaj për Marrëdhënie Ekonomike të Bosnjës, po marrin pjesë edhe përfaqësues të CEFTA-s dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Shqipërisë, vend ky që kryeson CEFTA-n.

Me herët, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se Kosova kishte pranuar ftesën e Bosnjës për bisedime por, sipas saj, këto negociata nuk kanë të bëjnë me mundësinë e heqjes së tarifës për mallrat e Bosnjës nga ana e autoriteteve në Prishtinë.

“Nuk bëhet fjalë për diskutime lidhur me këtë çështje, pasi Kosova do të mbrojë arsyet e saja për vendosjen e tarifës. Kosova është e obliguar të respektojë këtë formë të komunikimit brenda CEFTA-s” pati deklaruar zëdhënësja Gashi.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtareqë prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Mekanizmat ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar në vazhdimësi nga Kosova që të hiqet taksa.

Vendosjen e kësaj takse, mekanizmat ndërkombëtarë e kanë konsideruar si shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.