Qeveria porosit Bosnjën: Tarifa s'hiqet

Ilustrim.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se disa ekspertë, të deleguar nga drejtuesi i kësaj ministrie do të jenë në Bosnje Hercegovinë për të marrë pjesë në një takim të thirrur nga autoritetetet e Bosnjës meqë këto të fundit kanë kërkuar konsultime me zyrtarët e MTI-së.

"Në këtë takim delegacioni do të sqarojë para autoriteteve të CEFTA-s dhe të Bosnjës, si kërkuese e këtij takimi, se pse Kosova ka vendosur këtë masë dhe pse kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Një masë të tillë e përcakton dhe e parasheh edhe marrëveshja e CEFTA-s, e cila thotë se shtetet anëtare kanë të drejtë të marrin masa të tilla në rast se u rrezikohet siguria kombëtare. Në këtë rast Serbia dhe Bosnja e kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të vendit tonë. Këto dy shtete me veprimtarinë e tyre çdo ditë kanë tentuar ta zhbëjnë vetë qenien e shtetit të Kosovës", ka thënë Shala.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor të vitit që lëmë pas ka vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore është ngritur në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Mekanizmat ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar në vazhdimësi heqjen e kësaj mase.