Në mars fillon ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”

Ilustrim

Në muajin mars të këtij viti pritet të fillojë ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”. Ky projekt, që konsiderohet investimi më i madh i huaj, në mbi 1.3 miliard euro, synon që të stabilizojë situatën më energji elektrike në vend.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj, pas përfundimit të mbledhjes se qeverisë, duke shtuar se tashmë janë informuar nga kompania fituese "Contour Global", se ka siguruar mjetet e nevojshme për realizimin e projektit.

Dyshimet për mundësinë e realizimit të këtij projekti u paraqitën në muajin tetor të vitit të kaluar, pas deklaratave të përfaqësuesve të Bankës Botërore se nuk do ta mbështesin ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.

Vite më parë kjo bankë ka premtuar se do të lëshojë një lloj garancie të riskut që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët.

Ky investim, sipas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, do të mundësojë rritje ekonomike deri në 7 për qind.