Veseli: Vendimet i marrim bashkë me SHBA-në

Foto nga takimi i Kryetarit të Kuvendit,Kadri Veseli dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj me Ambasadorin e SHBA-ve, Philip Kosnett.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një komunikate ka theksuar se vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, do të jenë në interes të qytetarëve dhe në koordinim të plotë me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Nëpërmjet një deklarate në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe kryeministrin Ramush Haradinaj patëm një takim tejet konstruktiv dhe diskutuam për sfidat që na presin gjatë këtij viti. Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës për procese të rëndësishme, të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë”, është shprehur Veseli.

“Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë”, theksoi ai.

Takimi u zhvillua në kohën kur Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po i kërkojnë Qeverisë së Kosovës të shfuqizojë tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjes.