Peskov: Sanksionet e BE-së për të dyshuarit e sulmit ndaj Skripalëve nuk ndryshojnë asgjë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kremlini ka hedhur poshtë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj dy burrave, të cilët Britania i ka akuzuar për helmim të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri, duke e cilësuar këtë hap të BE-së, negativ, mirëpo që nuk do të ndryshojë asgjë, transmeton Reuters.

Ambasadorët e BE-së janë pajtuar javën e kaluar për të vënë sanksione ndaj nëntë individëve dhe një subjekti, të akuzuar për sulmet me armë kimike, përfshirë dy burrat rusë të identifikuar si Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, të cilët Londra i fajëson për helmim të Skripalëve.

Britania i cilëson këta persona anëtarë të inteligjencës ushtarake të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë të hënën se Britania ende nuk ka ofuar të dhënat që ka mbledhur kundër këtyre personave, si dhe ka pretenduar se fajësia e tyre nuk është vërtetuar.

Ish-agjenti rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia janë helmuar me agjent nervor, Noviçok vitin e kaluar në Britani.

Ndonëse të dy fillimisht ishin në gjendje kritike shëndetësore, ata tani janë duke u shëruar në ambiente të panjohura, për shkaqe të sigurisë.