Talat Xhaferi nënshkroi Ligjin për shqipen

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka firmosur Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të cilin tashmë e ka dorëzuar për botim në Gazetën Zyrtare.

Ligjin për përdorimin e gjuhëve rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet e pushtetit qendror. Xhaferi njoftimin e ka bërë të ditur në rrjetin social Facebook ku ka shkruar se "Ligji për gjuhët, edhe në gazetën zyrtare! Siç bëhet e ditur ligji pritet të botohet të martën me çka edhe bëhet zyrtar".

Shumica parlamentare disa herë kishte kërkuar nga presidenti që të dekretojë ligjin, por kjo kërkesë është shpërfillur në vazhdimësi nga kreu i shtetit për t’u dërguar tani për botim në Gazetën Zyrtare për firmën e presidentit.

Kreu i shtetit dhe opozita maqedonase kanë thënë se një veprim i tillë paraqet shkelje, por nga Qeveria kanë thënë se presidenti është ai që ka bërë shkelje meqë Kushtetuta e obligon të dekretojë ligjet pas votimit të dytë në Kuvend.

Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera.

Për dallim nga më parë, tani edhe drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre.

Zgjidhja ligjore parasheh që edhe mbishkrimet në nivel qendror të jenë në dy gjuhë.

Megjithatë, zbatimi i ligjit do të nisë një vit pas hyrjes në fuqi kur të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për gjuhët.

Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit.

Zbatimi i ligjit do të jetë kompetencë e dy institucioneve, të një agjencie dhe inspektorati, që do të merren me mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të miratuara. Për moszbatim të ligjit janë paraparë edhe gjoba për institucionet që sillen prej 4 deri në 5 mijë euro.