Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se ai vetë do te ushtrojë detyrën e shefit të diplomacisë së vendit, në mungesë të një ministri të Jashtëm.
Ai, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka bërë të ditur marrjen e përgjegjësisë së ministrit të Jashtëm, duke kritikuar presidentin Ilir Meta.
“Presidenti e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama.
Presidenti s%27e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues.Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese.Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s%27kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit.
— Edi Rama (@ediramaal) January 14, 2019
Presidenti Meta ditë më parë ka refuzuar të dekretojë ministrin e emëruar Gent Cakaj. Ai, nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit tha se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.
Vendimi i kryeministrit shqiptar u mor pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, ku u diskutuan hapat e ardhshëm për të zgjidhur ngërçin Qeveri-President.
PS do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet vetëm kur të mund të bëhet funksionale, çështje që do të marrë kohë.
Meta dhe Rama përplasen për ministrin e emëruar, Gent Cakaj
Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut dhe vetëm dy kanë mbijetuar.
Modeli i kryeministrit që të ushtrojë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm është bërë edhe në Greqi, ku kryeministri grek Alexis Tsipras, pas largimit të Nikoz Kotzias si ministër i Jashtëm, mori përsipër edhe këtë post.