Khamenei i quan zyrtarët amerikanë "idiotë të klasit të parë"

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është tallur me zyrtarët amerikanë, duke i quajtur “idiotë të klasit të parë”.

“Disa zyrtarë amerikanë pretendojnë se janë të çmendur. Natyrisht, unë nuk pajtohem me këtë gjë, mirëpo ata janë idiotë të klasit të parë”, ka thënë Khamenei në një fjalim në Teheran më 9 janar, bazuar në postimet e fundit në faqen zyrtare të llogarisë së tij në rrjetin social Twitter.

Komentet e Khameneit kanë qenë tejet të vrazhda, duke reflektuar tensionet në rritje në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botëore.

Khamenei është tallur edhe me një zyrtar të paidentifikuar amerikan, i cili ka supozuar se regjimi në Iran do të ndryshojë në fund të vitit 2018.

“Kohë më parë, një politikan amerikan ka thënë në mesin e terroristëve dhe banditëve se shpreson të festojë Krishtlindjet në Teheran”, ka thënë Khamenei sipas postimit të tij në Twitter.

“Krishtlindjet kanë qenë ditë më parë. Kështu funksionojnë llogaritjet e SHBA-së”.

Ende nuk është bërë e qartë se kujt i është referuar lideri iranian, mirëpo anëtarë të administratës së Trumpit kanë bërë thirrje tash e një kohë për ndryshim të regjimit në Iran dhe kanë parashikuar se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt.

Në mesin e tyre përfshihet Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili ka folur në një tubim të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), një grup opozitar në ekzil, të cilin liderët e Teheranit e konsiderojnë lëvizje terroriste.

“Para vitit 2019, ne që jemi këtu do të festojmë në Teheran”, ka thënë Bolton në një takim të këtij grupi në korrik të vitit 2017 në Paris.

Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet në Iran, pasi janë larguar nga pakti bërthamor i vitit 2015 që parasheh lirim të sanksioneve perëndimore për Teheranin, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Ky vendim ka përkeqësuar problemet ekonomike të këtij shteti, meqë valutës iranine, rial, i është përgjysmuar vlera kundrejt dollarit amerikan.