Haradinaj: Tarifa është vendim i Qeverisë së Kosovës

Kryeministri, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur qëndrimin se tarifa doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk do të hiqet përderisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Vendimi është legjitim, qeveria e ka deklaruar arsyen e marrjes së këtij vendimi. I kemi informuar të gjitha qeveritë e vendeve tjera që është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës. Është mohuar tregtia e lirë me barriera jotarifore, është penguar Kosova në planin e jashtëm e kështu më radhë”, tha ai.

Këto komente, Haradinaj i bëri pas një diskutimi me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Aty kryeministri Haradinaj tha se “Qeveria e Kosovës është e interesuar që qysh tani të shfuqizojë këtë vendim nëse Serbia njeh pavarësinë e Kosovës”.