Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nuk sheh asnjë shenjë të arritjes së kompromisit me Kosovën, porse ai duhet të arrihet "nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian".
Duke folur për mediat serbe, Bërnabiq tha se Beogradi dhe Prishtina janë gjithnjë e më larg arritjes së kompromisit, para së gjithash për shkak të taksës 100% që Kosova u ka vënë importeve nga Serbia, si dhe për shkak të formimit të ushtrisë së Kosovës.
"Unë mendoj se ne po largohemi nga kompromisi", tha Bërnabiq.
Por, ajo shtoi se konflikti i ngrirë me Prishtinën nënkupton që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.
Bërnabiq tha se "çështja e Kosovës duhet të zgjidhet" dhe se zgjidhja është "arritja e një kompromisi që do të garantonte paqe, stabilitet dhe jetë më të mirë për serbët në Kosovë".
Ajo tha se Serbia është në "pozitë të shkëlqyeshme" sepse kryenegociator i saj është presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, por shtoi se Qeveria e Serbisë do të ndihmojë aq sa mundet.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.