Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Bolton tha se do të udhëtojë në Izrael dhe Turqi, për të diskutuar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe mënyrën sesi Uashingtoni dhe aleatët do të trajtojnë “sjelljen malinje” të Iranit në rajon.
Përmes një postimi në Twitter, Bolton gjithashtu tha se do të diskutojë edhe për mënyren sesi të parandalohet “rishfaqja” e grupit militant, Shteti Islamik në rajon.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 19 dhjetor, befasoi ligjvënësit amerikan dhe shumë udhëheqës ushtarak kur paralajmëroi tërheqjen e 2 mijë trupave amerikane nga Siria, të cilët po ndihmojnë milicinë kurde në luftimin e militantëve të Shtetit Islamik.
Së fundi, Trumpi u zbraps nga një tërheqje e shpejtë duke thënë se ajo do të ndodhë gradualisht. Senatori republikan, Lindsey Graham iu tha gazetarëve se presidenti Trump, është i përkushtuar të sigurohet se Turqia nuk do të përleshet me forcat kurde të cilat gëzojnë mbështetjen e SHBA-së. Trump gjithashtu siguroi Ankaranë se do të ketë një “zonë amortizuese” brenda Sirisë për të mbrojtur dhe ndihmuar interesat e saja.
Ankaraja e konsideron milicinë kurde si pjesë të Partisë Punëtore të Kurdistanit dhe është zotuar se do ta shkatërrojë atë.
Izraeli ka shprehur shqetësime se tërheqja e SHBA-ve nga Siria do t’ia mundësonte Iranit të konsolidojë prezencën aty si dhe do të paraqiste rrezik për sigurinë.