Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me përfaqësuesit e familjeve të të pagjeturve, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahitri dhe kryetarin e Komisionit për të pagjetur, Prenk Gjetaj, kanë bërë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kosova do të vazhdojë deri në fund për të kërkuar zbardhjen e fatin të personave të pagjetur.
“Familjet duhet të jenë të forta pasi edhe si shtet edhe si institucione zotohemi se nuk do të ndalemi. Serbia është ajo e cila i ka shkaktuar dëme Kosovës dhe duhet t’i paguaj”, tha Veseli.
Presidenti Thaçi, me herët ka thënë se për çështjen e të pagjeturve, do të diskutohet edhe në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Procesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, vazhdon të mbetet peng i politikës, thanë përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave.
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, tha se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet shqetësim i familjarëve të këtyre personave dhe institucioneve të Kosovës.
“Vullneti politik nuk ka qenë në nivelin e duhur për ta shtyrë Serbin si dhe për t'i vënë ndonjë kusht për zbardhjen e fatin të të pagjeturve”, tha Qerkini.
Ndryshe nga Bashkimi Evropian nuk është dhënë ndonjë informatë se çështja e të zdukurve do të jetë një nga temat e mundshme në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Rreth 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 650 personave, të cilët konsiderohen të pagjetur.