Qindra studentë dhe qytetarë protestuan para Kuvendit të Shqipërisë, përderisa brenda tij mbahej një seancë plenare me tensione mes pozitës dhe opozitës.
Partitë opozitare në Shqipëri që disa muaj ka bojkotuar pjesëmarrjen e tyre në seancat në Kuvend, në shenjë proteste ndaj Qeverisë. Megjithatë, të enjten ata u kthyen në sallë për të debatuar për protestat e pandërprera të studentëve.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend filloi të fliste për protestën e studentëve dhe përpjekjet e qeverisë për të hapur dialog, por fjala e tij u ndërpre nga deputeti i Partisë Demokratikë në opozitë Endri Hasa, i cili hodhi vezë në drejtim të kryeministrit.
*Kjo video fillimisht është publikuar në Zëri i Amerikës
Deputeti Hasa është përjashtuar nga salla Kuvendit.
Seanca e të enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, deri para ndërprerjes së saj nga kryetari i Kuvendit, u zhvillua në tensione dhe retorika të ashpra.
Kryedemokrati Lulzim Basha i tha kryeminstrit se ka shkelur Kushtetutën dhe procedurën, duke i quajtur “banditë” deputetët dhe ministrat e mazhorancës.
Protesta e sotme shënoi ditën e gjashtëmbëdhjetë të studentëve të universiteteve publike të cilët po bojkotojnë mësimin në të gjitha fakultetet e vendit, me kërkesa ekonomike dhe akademike drejtuar qeverisë dhe institucioneve arsimore të vendit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, edhe sot, në kuadër të përpjekjeve të tij për të hapur dialog me studentët, është takuar me një pjesë të tyre dhe të pedagogëve nëpër auditorët e universiteteve nëpër Shqipëri.
Studentët i kanë 8 kërkesa për të lehtësuar studimet e tyre, që kanë të bëjnë me ulje të tarifave, përmirësim të cilësisë së arsimit dhe të kushteve të konvikteve ku ata jetojnë, pajisjen me kartën e studentit për lehtësira ekonomike dhe përfaqësimin e tyre në borde drejtuese e vendimmarrëse të universiteteve.
Ata edhe sot, refuzuan dialogun dhe thonë se këto kushte nuk janë për bisedime por vetëm plotësim të tyre, se protestat e tyre nuk kanë përfaqësi dhe se askush nuk mund të flasë në emër të protestës.