Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se letra që Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e dërgoi në adresë të Presidentit Thaçi, është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Veseli tha se letra paraqet edhe një dëshmi shtesë për miqësinë e natyrshme dhe të përjetshme mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“Dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve dhe thirrja e Presidentit të SHBA-ve është thirrje për të gjithë akterët në politikë që t’i bashkohen rrugëtimit tonë në Dialog për njohje të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara” ka shkruar Veseli.
Ai ka ftuar dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohen Ekipit Shtetëror për dialogun me Serbinë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.