Qeveria e Kosovë, përmes një deklarate rithekson qëndrimin për bashkëpunim me NATO-n në rrugëtimin e formimit të Ushtrisë.
“Duke kujtuar dhe nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bën sakrifica të mëdha për lirinë dhe shtetin tonë dhe duke shprehur mirënjohje për misionin e NATO-s, KFOR-it, të gjithë trupave ushtarake të vendeve aleate: SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, e të gjitha atyre vendeve që i shërbyen paqes në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se me miratimin e Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës – ne përcaktojmë kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së, si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik”, theksohet në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës vlerëson se e drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s buron nga sakrifica dhe liria, nga e drejta e shtetit, nga sovrani, vullnetit qytetar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë.
“Kosova është NATO dhe NATO është Kosovë. Për këtë askush mos të ketë asnjë dyshim. Së bashku me aleatët, NATO-n do të jemi vetëm në shërbim të demokracisë, sigurisë, paqes dhe zhvillimit në Kosovë, rajon e kudo që kërkohet”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.