Ambasadori amerikan: Votimi për transformimin e FSK-së, "historik"

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zhvillimin profesional dhe organizativ të FSK-së, që do të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar si karakterin multi-entik të shtetit, ashtu dhe dedikimin e popullit të Kosovës për paqe”, ka thënë ai.

Përveç tjerash, ambasadori amerikan ka thënë se seanca e së premtes në Kuvend duhet të jetë rast për reflektim dhe dedikim për paqe, stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe fqinjtë e saj.

Kosnett ka përmendur dhe faktin se tani është “koha për të gjithë liderët dhe palët e përfshira që të fokusojnë energjinë në dialog”.

​Të premten, Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë në lexim të dytë projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.