Vuçiq për transformimin e FSK-së: Serbia gjendet në situatë të vështirë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë të enjten se shpreson që bashkësia ndërkombëtare e kupton se Serbia gjendet në një situatë të vështirë pas paralajmërimeve për formimin e ushtrisë së Kosovës por ka shtuar se është detyrim i autoriteteve serbe për të mbrojtur “krenarinë kombëtare” dhe jo për të hyrë në konflikte.

Vuçiq ka thënë se është shumë e qartë që të gjitha veprimet e Prishtinës janë joligjore por ato po bëhen me mbështetjen e amerikanëve dhe britanikëve.

“Ata nuk kanë të drejtë sipas çdo mekanizmi ndërkombëtar për të formuar një ushtri”, ka thënë Vuçiq.

Ai nuk ka pranuar të konfirmojë raportimet e disa mediave se të premten do të vizitojë njësitet e ushtrisë serbe në zonën e sigurisë në kufi me Kosovën, por ka thënë se ka të drejtë sovrane si president dhe si komandat i përgjithshëm i ushtrisë për të vizituar çdo njësi kur ai dëshiron.

Të premten, Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë në lexim të dytë projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka konsideruar këtë periudhë "të papërshtatshme” për një hap të tillë, derisa amabasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se tranformimi i FSK-së është një hap i natyrshëm.

Lidhur me këtë çështje të enjten në Shkup ka folur edhe komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo.

Ai ka thënë se forcat e NATO-së janë të përgatitura për çdo vendim, që do të sjellin institucionet e Kosovës, sikurse edhe për të garantuar sigurinë atje.

“Kosova është shtet demokratik, siç jeni ju dhe siç është Serbia. Në demokraci ju zgjidhni njerëz që do të marrin vendime në emrin tuaj. Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës" ka shtuar Foggo.