Trump mund të intervenojë në rastin e shefes ekzekutive të Huaweit

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se mund të intervenojë në rastin e arrestimit të shefes ekzekutive të gjigantit kinez, Huawei, Meng Wanzhou, nëse një gjë e tillë ndihmon në mënjanimin e përkeqësimit të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kinën.

“Çfarëdo që është më mirë për këtë shtet, unë do ta bëj”, ka thënë presidenti amerikan.

“Nëse mendoj se është në të mirë të asaj që do të jetë, besoj unë, marrëveshja më e madhe e arritur ndonjëherë, e që është shumë e rëndësishme, unë do të intervenoj nëse mendoj se është e nevojshme”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Meng, shefe financiare e kompanisë teknologjike, Huawei ka fituar lirim me kusht nga një gjykatë kanadeze të martën.

Ajo është arrestuar më 1 dhjetor dhe mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me pretendimet se ka shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit.

Mirëpo shefja e Huaweit ka mohuar çdo keqbërje dhe ka thënë se do të kundërshtojë akuzat.

Arrestimi i saj ka ardhur në kohën kur marrëdhëniet Uashington-Pekin janë tejet të tensionuara, teksa Kina është zemëruar së fundmi dhe me Kanadanë për ndalimin e Wanzhousë.