Haradinaj: Diskutimi për masa të reja, pasojë e agresionit nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se diskutimet mbi masa të reja ndaj Serbisë, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj importeve të produkteve serbe, vijnë si pasojë e presionit nga Beogradi zyrtar.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se Serbia duhet të ndalë agresionin ndaj Kosovës, që sipas tij, të hapet rruga për një normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Diskutimet për masat e reja edhe ato vijnë si pasojë e presionit që po vazhdon prej Serbisë. Serbia kish qenë mirë që të ndalë një agresion të tillë, që t’i lë rrugë një normalizimi. Unë kam deklaruar se taksa mund të hiqet me njohjen (nga Serbia ndaj pavarësisë së Kosovës), por nuk hiqet përpara sepse nuk kemi sesi të veprojmë ndryshe”, tha Haradnaj.

Ndryshe, masat e paralajmëruara nga zyrtarët qeveritarë janë vendosja e ndalimit të hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës. Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera.

Kryeministri Haradinaj tha se taksa prej 100 për qind, ndaj produkteve që vijnë nga Bosnja dhe Serbia, nuk është vendosur nga arroganca.

“Taksa prej 100 për qind, nuk është bërë nga arroganca, por është bërë sepse jemi ndodhur përballë një agresioni, një agresiviteti”, tha Haradinaj, duke ripërsëritur se masa nuk i drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës e as popullit serb, por është ndaj shtetit të Serbisë.

Haradinaj tha se taksa 100 për qind, e cila është në fuqi që prej 21 nëntorit, nuk ka për qëllim që t’ua vështirësojë jetën qytetarëve serbë të Kosovës, e as të shkaktojë krizë humanitare në veri.

Vendosja e taksës ndaj importeve serbe dhe të Bosnjës, nga Qeveria e Kosovës, fillimisht prej 10 e më pas në 100 për qind nuk është pritur mirë në Beograd dhe Sarajevë, por as në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë bërë thirrje Kosovës që të heqë këtë barrierë tregtare.