Ismaili: Ndalëm korrupsionin në blerjen e barnave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili thotë se është ndalur keqpërdorimi i buxhetit, sa i përket blerjeve të barnave, që sipas tij, buxhetit të shtetit i ka kushtuar miliona euro.

“Për vite me radhë janë keqpërdorur miliona euro të buxhetit të shtetit në blerjen e barnave me çmime të fryra. Por, ne po i themi stop korrupsionit. Vetëm për një vit, shpëtuam 6 milionë euro, blemë më shumë barna, aparatura mjekësore dhe ndërruam shtretërit në QKUK”, tha Ismaili gjatë një konference për media.

Ismaili ka thënë se për vite me radhë, barnat janë blerë me çmime shumëfish më të shtrenjta. Ai ka marrë si shembull vetëm njërin nga barnat e cila përdoret për trajtimin e pacientëve të sëmurë nga kanceri dhe leukemia për të dëshmuar keqpërodrimin e madh të buxhetit të shtetit që ka ndodhur, në blerjen e barnave.

"Korrupsioni lart në institucione varfëron me mijëra familje poshtë. Duke e goditur korrupsionin, ne kemi kursyer qytetarët. Kjo më së miri mund të shihet në rastin e Imatinibit, një ilaç kundër sëmundjeve të kancerit dhe leukemisë. Në vitin 2016 imatinibi është blerë për 652 mijë euro, ndërsa sasinë e njëjtë, ne e kemi blerë për 75 mijë euro. Do të thotë, që vetëm për një kontratë, ne kemi shpëtuar 577 mijë euro”, tha ministri i Shëndetësisë.

Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë, ka ndërprerë disa kontrata për furnizim me barna, të cilat i ka cilësuar si abuzive, për shkak se barnat janë blerë me çmime shumë të larta. Megjithatë, barnat nëpër barnatoret e Kosovës nuk kanë çmime të unifikuara, për shkak se, siç kanë pohuar zyrtarët institucionalë, Kosova nuk ka një rregullore administrative që mund ta rregullonte këtë çështje.