Studentët duan përmbushje kërkesash, jo negociim të tyre

Protestat e studentëve në Shqipëri

Studentët e Universitetit të Tiranës po protestojnë edhe të dielën për të pestën ditë me radhë, me kërkesat për ulje tarifash të shkollimit dhe përmirësim të cilësisë në arsimin publik të Shqipërisë.

Institucionet më të larta shtetërore, Krymeministria dhe Ministria e Arsimit, u kanë bërë thirrje studentëve të ulen në tavolinë me ta që t’i shqyrtojnë këto kërkesa.

Protestat e studentëve në Shqipëri

Megjithatë, studentët kanë refuzuar dialogun me ta, duke thënë se duan përmbushje kërkesash, jo negociim të tyre.

Përpos kërkesës për përgjysmim të tarifës së studimit dhe përmirësimit të cilësisë, në kërkesat e studentëve përfshihen edhe përmirësimi i kushteve të konvikteve, rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së në buxhetin për vitin 2019, pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit dhe disa pika tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në borde administrative dhe mbështetje financiare të aktiviteteve dhe kërkimeve të tyre shkencore.

Qeveria e Shqipërisë thotë se tarifat nuk i përcakton ministria, por ato caktojnë universitetet.

Megjithatë, protestuesit pohojnë të kundërtën, duke thënë se është Qeveria ajo që ka caktuar çmimet tavan.

Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, varirojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor).

Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mijë (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro).

Këto tarifa konsiderohen të jenë ndër më të lartat në Evropë për universitetet publike, në kohën kur shumë shtete si Gjermania dhe vendet e Skandinavisë kanë hequr tërësisht pagesat për shkollimin publik.

Shqipëria vazhdon të jetë ndër shtetet më të varfra në Evropë.