Putin diskuton me Maduron krizën ekonomike në Venezuelë

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij nga Venezuela, Nicolas Maduro.

Presidenti rus, Vladimir Putin do të takohet në Moskë me liderin e Venezuelës, Nicolas Maduro, në kohën kur shteti i Amerikës Latine është duke u përballur me kaos ekonomik.

Kremlini ka thënë se Putin dhe Maduro do të diskutojnë aspektin e ndihmës financiare për Karakasin më 5 dhjetor.

Ata po ashtu pritet të diskutojnë edhe për bashkëpunim në fushën e gazit dhe naftës, ka thënë ndihmësi i Putinit, Yury Ushakov, para gazetarëve.

Ushakov ka thënë se Moska do të shprehë mbështetjen e saj për një dialog paqësor në Venezuelë, duke shtuar se “problemet e brendshme politike duhet të zgjidhen përmes një dialogu të hapur në mes të forcave politike”.

Venezuela, ndonëse vend i pasur me naftë është duke u përballur me krizë ekonomike dhe politike prej vitit 2010, në kohën kur Hugo Chavez ka qenë në pushtet dhe më pas është vazhduar nga presidenca e Maduros.

Rusia ka vendosur ta ndihmojë Venezuelën me marrëveshje të ristrukturimit të borxhit, pasi Venezuela është goditur nga ulja e çmimit të naftës dhe nga sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Më 4 dhjetor, Maduro ka njoftuar në një video të postuar në Twitter se ai do të udhëtojë drejt Rusisë për të zhvilluar bisedime “serioze” me Putinin.

Miliona persona kanë ikur nga Venezuela, duke i ikur dhunës dhe problemeve ekonomike në këtë shtet.