Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se formimi i paralajmëruar i ushtrisë së Kosovës dhe mosheqja dorë nga taksa mbi prodhimet e Serbisë që hyjnë në Kosovë, "do të kenë pasoja katastrofike" nëse "dikush nuk e vetëdijeson Prishtinën sa më shpejt që është e mundur".
Vuçiq paralajmëroi se mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën në Kosovë.
Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të imporrtuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.
"Dua t'i njoftoj se Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se me Serbinë nuk mund të flitet kështu", tha Vuçiq, duke iu referuar deklaratave të Haradinajt.
Vuçiq po ashtu tha se formimi i ushtrisë së Kosovës nuk është në përputhje as me Kushtetutën e Kosovës dhe e çon rajonin në shkallën më të lartë të rrezikut, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Të hënën, autoritetet e Kosovës paralajmëruan se, më 14 dhjetor, Kuvendi i Kosovës do t’i votojë projektligjet që e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në forcë me kapacitete ushtarake.