Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest tha se është "detyruar" t'i zhvendosë programet e tij prestigjioze në një kampus në Vjenë, pas një beteje të gjatë ligjore me Qeverinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Michael Ignatieff, rektor i universitetit të themeluar nga miliarderi hungarezo-amerikan, George Soros, tha se "Universiteti i Evropës Qendrore është dëbuar".
"Kjo është e pashembullt. Një institucion i SHBA-së është dëbuar nga një vend që është aleat i NATO-s", tha Ignatieff.
Universiteti tha se do t'i nisë programet e akredituara nga SHBA-ja në një vend të ri në Vjenë, nisur nga shtatori 2019
Universiteti tha se do ta mbajë kampusin në Budapest dhe se studentët që i kanë nisur studimet atje, do të mund t'i përfundojnë.
I themeluar nga Sorosi në vitin 1991, Universiteti i Evropës Qendrore thotë se është bërë cak i një ligji të miratuar në Hungari në prill të vitit 2017, i cili ka vënë kërkesa të vështira për universitetet e huaja.
Universiteti i Evropës Qendrore është konsideruar prej Orbanit si një bastion armiqësor i liberalizmit.
Qeveria hungareze ka refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje me autoritetet e SHBA-së për t'i lejuar Universitetit që të vazhdojë të veprojë në Budapest.