Liderët kosovarë shprehin ngushëllime për vdekjen e George H.W Bush

Liderët e institucioneve të Kosovës kanë shprehur ngushëllime ndaj popullit amerikan për humbjen e ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, George H.W Bush.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes rrjetit social Facebook, tha se Kosova ka humbur një mik të madh.

“I pikëlluar për vdekjen e presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George H.W Bush. Bush gjithë jetën e tij e dedikoi në shërbim të popullit amerikan dhe paqes në botë. Presidenti Bush do të mbahet në mend për denoncim direkt ndaj represionit dhe terrorit serb ne Kosovë. Ai do te mbahet në mend për “mesazhin e Krishtlindjeve” drejtuar presidentit serb në vitin 1992, me të cilin vendos vijën e kuqe për luftë në Kosovë duke e mbrojtur popullin tonë nga tendenca dhe kërcënimi për shfarosje nga regjimi i Milloshevicit në atë kohë. Prehu në paqe, njeru i Kosovës. Do të kujtojmë gjithmonë!”, tha Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Bush do të kujtohet për deklaratën se Kosova është vija e kuqe për SHBA-në, që ja bëri regjimit të Millosheviqit.

“Popullit amerikan, në emër të qytetarëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush. SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe”, tha Thaçi në Facebook.

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, tha se Kosova gjithmonë do të jetë falenderuse ndaj kauzës për pavarësi të Kosovës së ish presidentit George H.W Bush.

“Presidenti George H. W. Bush ishte një nga zërat e parë të lidershipit botëror që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Mbështetja që ai i ka dhënë kauzës sonë të shenjtë për liri ishte një mesazh i qartë anekënd botës. Kjo do të mbetet përherë në kujtesën tonë dhe do të na shërbejë që ta forcojmë edhe më tej miqësinë me Shtetet e Bashkura të Amerikës. Ngushëllime të përzemërta për familjen dhe popullin amerikan. Zoti e bekoftë këtë misionar të paqes dhe demokracisë!”, tha Veseli.

Lexoni edhe këtë: Vdiq ish presidenti amerikan George H.W Bush

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dërguar telegram ngushëllimi për humbjen e presidentit George H.W Bush.

"Bush do të përkujtohet gjithmonë nga Kosova dhe qytetarët e saj, veçanërisht për paralajmërimin e tij ndaj Serbisë në vitin 1992 se ‘në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi. Këtë dashuri ndaj Kosovës e trashëgoi edhe te Presidenti i 43-të i SHBA-ve George W. Bush, gjatë mandatit të së cilit edhe u shpall pavarësia e Kosovës. Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit George H.W. Bush”, ka thënë Mustafa në telegramin e ngushëllimit.