Ministria e Punëve të Brendshme të Hungarisë nuk ka të dhëna se nga cilat vende dhe përmes cilave pika kufitare ka hyrë në këtë vend, ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, thuhet në një përgjigje të kësaj Ministrie për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin.
Policia e Hungarisë ka thënë se nuk kanë të dhëna për atë nëse Gruevski ka përdorur veturë diplomatike dhe as se ku e ka paraqitur ai kërkesën për azil politik.
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, mirëpo deri më tash nuk janë përgjigjur asnjëri prej këtyre institucioneve.
Ish-kryeministri Gruevski në Maqedoni është i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim detyre në rastin e blerjes së një automjeti qeveritar në vlerë 580 mijë euro.